Të vulosur me Krishtin

Pagëzimi është shpallje e hapur e besimit në Krishtin nga besimtari, përpara njerëzve. Pagëzimi është shfaqja e jashtme e një veprimi të brendshëm dhe është një shembëlltyrë e vdekjes, varrimit dhe ringjalljes së Zotit Jezus Krisht.

Këtë hap hodhen këta të rinjë në këtë ditë, duke i treguar botës që janë të Krishtit tashmë. Janë blerë me nje cmim aq të lartë sa askush në këtë botë nuk do të mund ta ofronte. Ky cmim është gjaku i Jezusit i derdhur atje në kryq.

“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mateu 28:19-20).  “Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4)

Çdo njeri, që i ka besuar Krishtit si Zot dhe Shpëtimtar, duhet të pagëzohet, duke kryer kështu një akt bindjeje besnike ndaj Zotit dhe urdhërimit të Tij. Një bindje e tillë i jep lavdi Perëndisë! Në pagëzimin e Tij, Jezusi e dëgjoi Atin, tek i tha: “Ti je Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur” (Marku 1:11). Patjetër, pra, që Ati ka për t’u kënaqur me ata, që ecin në gjurmët e Jezusit. Të gjithë ata, që kanë marrë vendim për ta ndjekur Krishtin, duhet të pagëzohen me gëzim dhe gatishmëri, duke u zhytur plotësisht nën ujë. Një veprim i tillë ka për të qenë një dëshmi e mrekullueshme përpara të gjithë atyre, që i shikojnë.